Adhurimi lind në zemër
nga Matt Redman
Adhurimi lind në zemër
Në intervistat që kam dhënë kohët e fundit për shtypin e krishterë më është bërë herë pas here një pyetje. “Çfarë mendon për theksin që po i vihet në ditët e sotme adhurimit në industrinë e muzikës së krishterë?” Pyetja ndiqet nga komente rreth rrezikut të kthimit të adhurimit në marketing. Në një nga këngët e saj, Loren Hill thotë: “Hip-hopi lindi në zemër, aty i pati fillesat e tij, ndërsa tani është bërë vetëm një çështje klasifikimi”. Mos po ndodh e njëjta gjë edhe me adhurimin?
Së pari, dua t’ju them se jam i kënaqur që po ma bëni këtë pyetje, e cila tregon ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje dhe kjo është shenjë e mirë. Rreziku është se mund të na rrëmbejë aq shumë momenti, sa të harrojmë të bëjmë pyetjen më të rëndësishme: “Çfarë mendon Zoti për gjithë këtë gjë?” Kjo është pyetja që çdo njeri i përfshirë në ‘industrinë’ e muzikës së krishterë duhet t’i bëjë vetes në fund të ditës. Inkurajohem që sot janë të shumtë ata që po e bëjnë këtë pyetje të vështirë. Mbi të gjitha, është biblike, ashtu siç lutej edhe vetë psalmisti: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo, njihi mendimet e mia, shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme”.
Kjo frazë e shkëputur nga Psalmet përbën një test shumë të mirë, nëpërmjet të cilit mund të kontrollojmë mënyrat si shërbejmë. A po shërbejmë me perspektivën e përjetësisë? A po i përdorim këngët tona, albumet dhe gjithçka tjetër për të ndërtuar mbi gjëra të përjetshme, të cilat do ta ndërgjegjësojnë kishën dhe forcojnë misionin e saj? Apo po e përdorim muzikën pa pasur motivet e duhura? Mund ta shtrojmë pyetjen edhe në një mënyrë tjetër: “Cilën Mbretëri po ndërtojmë ne?” Ndërsa shkruaj një këngë, pranoj një ftesë, apo regjistroj një album, cilën Mbretëri po ndërtoj? A është mbretëria e “Met Redman” (përpjekja foshnjarake përmes së cilës dua ta tregoj veten me të mirë nga ç’jam) apo është Mbretëria e shenjtë, e patundur dhe e përjetshme e Zotit? A janë të gjitha përpjekjet e mia një shërbesë për Mbretin dhe Mbretërinë e tij? Kjo është një pyetje shumë e vështirë, sidomos nëse po kërkojmë një përgjigje të sinqertë.
Ndoshta tani ti po mendon: “Kjo nuk ka të bëjë shumë me mua. Është e vërtetë që regjistroj disa nga këngët e mia dhe pastaj u bëj disa kopje CD-ve, por e kam të pamundur të lidhem me ndonjë shtëpi diskografike dhe të rrëmbehem në skenarin e muzikës së Krishterë të adhurimit”. Ndoshta mund të jesh i përfshirë më tepër nga ç’mendon. Ky artikull nuk ka në thelb muzikën e adhurimit dhe industrinë në të cilën po rritet ajo, por motivet dhe standardet e zemrës. Ashtu siç thuhet te Fjalët e Urta, asnjë nuk mund t’i dijë me siguri motivet e veta, kjo është punë e Zotit, është një hetim ndriçues i Shpirtit të Tij të Shenjtë. Ka ardhur koha që të kërkojmë thellë në zemrat tona me të njëjtin stil si të psalmistit.
Kur bëhet fjalë për një adhurim të pastër, Shpirti i Shenjtë i Perëndisë është “inspektori” dhe “orkestruesi”. Ndërsa flas për kishën dua të theksoj se, asgjë e thellë, e pastër, kuptimplotë dhe shpirtërore nuk mund të ndodhë pa praninë e Shpirtit të Shenjtë gjatë adhurimit. Sipas Filipianëve 3:3, ne “adhurojmë përmes Shpirtit të Perëndisë (i shërbejmë Perëndisë në Frymë)” Ai është elementi kryesor i adhurimit tonë, gjithmonë ka qenë (që nga dita kur rrëfyem që Krishti është Zot) dhe gjithmonë do të jetë. Nëse adhurimi në kishë është i pastër, i thellë, kuptimplotë dhe shpirtëror, atëherë e tillë duhet të jetë dhe muzika e adhurimit që shkruhet dhe sigurohet nga albumet. Nëse duam që këto të jenë frytet e punës sonë duhet ta kërkojmë fillesën te Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Kam një pyetje për studiot e regjistrimit, autorët e këngëve, inxhinierët e zërit dhe drejtuesit e adhurimit: A po dëgjojmë për të marrë ide nga Përendia, ide që i kanë fillesat nga Shpirti i Shenjtë apo zgjedhim duke i vlerësuar vetëm mbi kriterin e përshtatjes në një segment të caktuar të tregut? Nuk kam asnjë dyshim se gjithë kjo valë e re e muzikës së krishterë që ka përfshirë gjithë botën është e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, por në këtë fazë që jemi, kemi përballë sfidën që ajo çka është nisur “në Frymë” të mos vazhdojë “në mish”. Për fat të keq, për disa shërbesa të mrekullueshme, ky është fundi.
Nuk ekziston një formulë përmes së cilës ne merremi me këtë çështje të adhurimit. Në formën e saj më të pastër ajo është një thirrje e thellë; në vendet më të thella të zemrave tona të gjejmë vendet më të thella të zemrës së Zotit përmes vajosjes hyjnore të Shpirtit të Shenjtë të Perëndisë. Ne mund të krijojmë CD, por nuk mund të krijojmë adhurim të vërtetë.
Matt Redman (përdorur me leje)