Zbulesë dhe përgjigje
nga Matt Redman
Zbulesë dhe përgjigje
Adhurimi është gjithmonë një përgjigje ndaj një zbulese. Duke qenë i përfshirë në drejtimin e adhurimit, këto dy fjalë, “zbulesë” dhe “përgjigje” më duken shumë frytdhënëse. Ç’lloj zbulese kemi marrë për Zotin? Ç’lloj përgjigjeje kërkohet apo e plotëson më mirë këtë zbulesë? Çfarë zbulese sjellin këngët që shkruajmë apo zgjedhim te njerëzit që i këndojnë ato? A shfaqet mjaftueshëm Zoti tek këto këngë në mënyrë që të zgjojë zemra të lodhura dhe shkurajuara me një zbulesë kuptimplotë?
Meditimi i thellë mbi këto dy fjalë është pa diskutim një rrugë e frytshme rreth mënyrës si adhurojmë. Sa më shumë mendoj për këto dy fjalë aq më shumë kuptoj se i kam kushtuar rëndësi më shumë njërës se sa tjetrës. Shpeshherë, i qasem adhurimit duke vlerësuar më tepër përgjigjen se sa zbulesën. Ndoshta të njëjtin qëndrim kanë dhe drejtues të tjerë të adhurimit.
Kam marrë pjesë në takime adhurimi në të cilat dukej qartë se drejtuesi i adhurimit ishte lodhur shumë për të marrë një “përgjigje”. Në këto kohë nuk i është kushtuar shumë kujdes integritetit dhe zemrës së ofrimit, përkundrazi njerëzit janë nxitur në mënyrë të vazhdueshme të “thërrasin me zë të lartë, të duartrokasin e të kërcejnë”. Në vend që të fokusohemi për të sjellë një tejmbushje të vërtetë dhe kuptimplotë të zemrës, duket sikur jemi angazhuar në një lloj konkurrence diskotekash shpirtërore, me një çmim për konkurruesin më të zhurmshëm. Po unë ç’stil drejtimi kam?
Interesohem më shumë për mendimet që më kalojnë në kokë gjatë kohës që drejtoj adhurimin se sa për vokalin tim.
A nuk kam drejtuar takime, në të cilat, pasi kemi kënduar këngët festive, kam dashur të përdor standardin e “duartrokitjeve” për të provuar nëse jemi aty ku duhej të ishim? (Në fund të fundit, nëse njerëzit duartrokasin pas çdo kënge të shpejtë dhe të gjallë, atëherë do të thotë që ajo ishte një nga netët e mira, apo jo?) A nuk e gjej ndonjëherë veten duke kontrolluar në mënyrë të pandërgjegjshme bashkësinë nëse po shfaq apo jo shenja jete, si p.sh: duar të ngritura lart? (domosdoshmërisht kjo do të thotë që gjithçka “po ecën mirë”! Më tej, ndërsa hyjmë në një nderim më të thellë ndaj Zotit, a nuk përgjoj përmes syve të mi gjysmë të hapur çfarë përgjigjeje po japin njerëzit e tjerë, duke shpresuar që të shoh të paktën një person që ka rënë në gjunjë?
Ju lutem të kuptoni që po e ekzagjeroj pak në këta shembuj, por nga ana tjetër shpresoj të jem i qartë. Shpeshherë ndërsa drejtoj adhurimin prirem të marr një përgjigje të mirë nga njerëzit, sepse dua të shoh rezultate. Të gjitha këto gjëra janë të mira: kërcimi, ngritja e duarve të shenjta, duartrokitjet dhe rënia në gjunjë. Nuk i kërkoj me dëshpërim këto gjëra (apo më keq, të bëj çmos që të ndodhin), por jam më tepër i interesuar për motivet që fshihen pas këtyre përgjigjeve (ose mosdhënies së këtyre përgjigjeve). Eshtë e vështirë ta bësh këtë dallim, por mjaft e rëndësishme për mendësinë e çdo drejtuesi adhurimi.
Këtu dalim tek ana tjetër e medaljes, “zbulesa”. Para se ta stërmundojmë veten për mënyrën se si po i përgjigjen njerëzit adhurimit, është mirë të ndërgjegjësohemi se kujt po i përgjigjen në të vërtetë. Si drejtues dhe autorë këngësh adhurimi, duhet të bëjmë më shumë kujdes ndaj arsyes kryesore të adhurimit, e cila është vlera e Zotit në këtë shërbesë. Çfarë aspektesh të mrekullive dhe shkëlqimit të Zotit po u shpalosim njerëzve, drejt të cilave ata t’i kthejnë zemrat e tyre? Si mund t’u kujtojmë zemrave, mendjeve dhe shpirtrave veprat e mëshirës që janë bërë për ta, hirin madhështor që është fituar për ta? Duhet të kuptojmë që kjo nuk është e gjitha përgjegjësia jonë; gjithkush që është pjesë e një shërbese të tillë luan rolin e vet. Ne duhet ta marrim seriozisht rolin tonë. Le të kemi një tjetër qasje, ndryshe nga ajo që i stërvit njerëzit të japin përgjigje ndaj adhurimit. Le të krijojmë këngë që janë aq përplot me Jezusin e lavdishëm sa të ndezin një zjarr të ri, duke sjellë përgjigje nga zemrat e mbushura që i këndojnë ato.
Nëse mund t’i çojmë njerëzit drejt zbulesave gjatë takimeve të adhurimit, atëherë jam i sigurt që përgjigjja ndaj këtij adhurimi do të vijë natyrshëm.
Ne nuk do t’i pengojmë dot adhuruesit plot pasion që të kërcejnë, të thërrasin e të përulen përpara Zotit.
Uilliam Tempëll ka thënë:
“Adhurimi shërben për të gjallëruar ndërgjegjen nëpërmjet shenjtërisë së Perëndisë”
“Për të ushqyer mendjen me të vërtetën e Zotit”
“Për të pastruar imagjinatën përmes bukurisë së Zotit”
Për t’ia përkushtuar vullnetin tonë qëllimit të Perëndisë”.
Vini re se ç’pjesë e madhe e këtij përkufizimi përqendrohet rreth “zbulesës”. Ja një burrë që dinte se, nëse në ndonjë mënyrë do të mund t’i përfshinim njerëzit në shenjtërinë, të vërtetën dhe bukurinë e Zotit, kjo do të sillte një përkushtim të vullnetshëm ndaj qëllimit të Perëndisë, pra, jetët tona do të derdheshin plotësisht në adhurim. Kjo është përgjigjja përfundimtare e çdo adhuruesi të vërtetë.
Matt Redman (përdorur me leje)