Toni Shena

A Worship Ministry in Albania

May-11-10

Artisti Në Grupin e Adhurimit

posted by Toni

Është i njohur nga të gjithë personaliteti i artistëve paksa ndryshe nga çdo njeri i zakonshëm. Shpesh herë një artist është një personalitet introvert që punon në fshehtësi. Në shoqëri ai mund të mbajë  një veshje ndryshe dhe shpesh paraqet një botëkuptim apo dhe sjellje ndryshe nga të tjerët.

Është bekim që në mesin tonë si kishë ungjillore të shikojmë kaq shumë artistë të krishterë që vazhdimisht i japin Perëndisë dhe kishave të tyre më të mirën që kanë. Vazhdimisht janë artistët që na freskojnë takimet dhe konferencat tona me ide dhe aktivitete të ndryshme festive dhe gazmore. E ndërsa një pjesë e madhe e artistëve në mesin tonë u janë bashkuar grupeve të  adhurimit, një pjesë e mirë e tyre çdo javë punojnë me repertorin e këngëve duke ndihmuar kishën të adhurojë Perëndinë si komunitet së bashku.

Një punë e tillë e përjavshme kërkon edhe një përkushtim dhe frymëzim. Dhe mbase sfida më e madhe është të punojmë me njëri-tjetrin. Të mbledhësh artistët për të punuar së bashku nuk është një punë e lehtë duke patur parasysh që shumica prej tyre janë introvertë dhe krijojnë në mënyrë të pavarur. Nevojitet durim por dhe ushtrim i aftësive shoqërore dhe në grup.

Në një ekip tipik adhurimi, secili pjesëtar sjell dy gjëra unike.

  1. Aftësitë dhe dhuntitë që i japin një rol të caktuar në ekip. Këto talente janë një nga arsyet përse është thirrur si pjesë e këtij ekipi.
  2. Personaliteti i tij që i jep një vend specifik brenda ekipit. Tek letra e parë drejtuar Korintasve 12:18, Pali thotë që Perëndia i vendosi pjesët e trupit ashtu si Ai dëshironte që ato të ishin. Perëndia ynë merr në konsideratë se kush je përpara asaj që ti mund të bësh. A nuk është kjo e mrekullueshme? Ti je pjesë e këtij grupi jo vetëm për atë që jep, por për atë që je. Askush tjetër s’mundet të kontribuojë në ekip njësoj si ti. Madje edhe nëse do të kishte dikush talentet dhe aftësitë e njëllojta me ty, përsëri s’do të të zëvendësonte dot asnjëherë për shkak se jeni dy persona të ndryshëm me personalitete të ndryshme.

Po cilat janë ato gjëra që e dëmtojnë punën në ekip?

1. Egoizmi

Egoizmi është vështirësia më e madhe me të cilën përballet çdo ekip. Asnjë grup nuk mund të qëndrojë në këmbë nëse njerëzit vazhdimisht po kërkojnë gjërat e tyre para të të tjerëve. Nëse Unë duhet të jem instrumenti kryesor, Unë duhet të jem vokali kryesor, apo të bëhet vetëm si them Unë, atëherë kjo mund të jetë një problem i vërtetë. Dhe problemet nëse nuk zgjidhen, vetëm do të bëhen më të vështira për t’u zgjidhur. Para disa ditësh, unë pata një rrjedhje të madhe uji në lavamanin e guzhinës. Çfarë bëra? E lashë të rridhte? Jo, me shpejtësi mbylla rubinetin kryesor të ujit dhe e riparova. Pastaj pashë që tubi rridhte akoma dhe nuk ishte izoluar plotësisht. Atëherë përsëri të nesërmen, punova derisa u sigurova që vërtet ky problem ishte zgjidhur. Kuptohet që nëse do ta kisha lënë ujin të rridhte, ky problem i vogël do të ishte kthyer shpejt në një problem të madh. Pra e kuptoni idenë. Egoizmi është një sëmundje që duhet njohur dhe luftuar.

2. Ankesat

Zakonisht këto janë rezultat i problemit të mëparshëm. Izraeli u ankua shpesh kundër Moisiut dhe njerëzit shpesh mërziten nëse gjërat nuk shkojnë siç duan ata. Personalisht, unë e kam problem kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç dua. Miqtë e mi më kanë përballur me këtë gjë dhe unë e di që kjo është një dobësi. Ankesat mund të sjellin përçarje dhe të heqin gëzimin e ekipit.

3. Një shpirt konkurrues

Konkurrenca e shëndoshë nxjerr më të mirën në ne. Në sport, art e politikë, ajo na nxit të rritemi në aftësitë tona por konkurrenca brenda ekipit mund të jetë e dëmshme. Nëse ka vazhdimisht konkurrencë mes muzikantëve në ekip, kjo s’do ta lejojë ekipin të funksionojë mirë. Bashkëpunimi dhe jo konkurrenca është çelësi.

4. Konflikti i pazgjidhur në marrëdhënie

Askush nuk e dëshiron konfliktin. Askujt nuk i pëlqen. Por ai është i pashmangshëm dhe në jetën e ekipit të adhurimit, ai do të “nxjerrë kokën” shumë shpesh. Nëse një skuadër artistësh do të jetë në gjendje të bashkëpunojë për një afat të gjatë në unitet, kjo është me të vërtetë një arritje shumë e madhe. Pak para arrestimit, Jezusi u lut për dishepujt e tij që të kishin unitet dhe të ishin një. Le të përpiqemi të jemi të kujdesshëm kur mendimet tona dhe personalitetet përplasen dhe le ta duam njëri-tjetrin ashtu si Krishti na do ne.

Po si mund të jemi kontribues në skuadrën tonë muzikore? Suksesi i skuadrës sonë varet drejtpërdrejtë nga roli ynë personal.

  1. Të jemi të përkushtuar ndaj vizionit të ekipit. A është e dukshme mbështetja jonë ndaj drejtuesit të ekipit? A po vendosim vizionin e përbashkët përpara stilit tonë të preferuar muzikor? A jemi të dëgjueshëm?
  2. Të kemi përkushtim për të zgjidhur konfliktet në marrëdhënie. Uniteti është dëshmitar shumë i fortë për jo të krishterët. “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet”. (Psalmi 133)
  3. Të inkurajojmë dhe të mbështesim tjetrin. Të mos vëmë re notat në të cilat gaboi por të vëmë në dukje përgatitjen dhe aftësitë e tjetrit. Gjithashtu le të mbajmë mend që disa njerëz kanë nevojë për afirmim dhe mbështetje më shumë se të tjerët. Një i ri në ekip veçanërisht ka nevojë të ndihet i mirëpritur dhe i vlerësuar.
  4. Të mos mbahemi fort tek aftësitë tona muzikore. Ne duhet të lëmë tek altari talentet tona në nënshtrim të plotë ndaj vullnetit të Atit tonë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shërbejmë me një zemër të gëzuar. Vetëm kështu mund të kemi paqe brenda vetes dhe të bëjmë pjesën tonë. Le të jemi miq më shumë se profesionistë.
  5. Të mos e kemi mendjen te lavdërimet apo vlerësimet e të tjerëve. Artistët mund të mos kenë qejf që dikush tjetër të marrë lëvdimin për idenë e tyre. Kjo shkon krejtësisht kundër mishit tonë që dëshiron të marrë lëvdim dhe mirënjohjen e njerëzve. Te Psalmi 131 thuhet “e kam qetësuar shpirtin tim si një foshnje e zvjerdhur në gjirin e nënës së tij.” Nëse besojmë vërtet në vizionin e ekipit tonë, le të rendim drejt këtij qëllimi së pari.
  6. Të jemi në gjendje të përshtatshme fizike, emocionale dhe shpirtërore. Sidomos drejtuesit të cilët mbajnë mbi vete peshën dhe përgjegjësinë e fushës së adhurimit muzikor në kishë, duhet të jenë të përgatitur dhe në kohë. Ata duhet të vlerësojnë kohën, energjinë dhe përkushtimin e pjesëtarëve të ekipit të tyre.
  7. Të sjellim të gjithë “arsenalin” tonë shpirtëror me vete. Ne mund të bëjmë pjesën tonë dhe të shkojmë në shtëpi. Po një artist që ka gjithashtu dhuntinë e profecisë, drejtimit, ungjillizimit, shërbesës me të varfërit? Nëse me nënshtrim, pjekuri dhe kujdes e vëmë në shërbim të trupit të Krishtit dhuntinë tonë, kisha do të bekohet.
  8. Të bëjmë mirë rolin tonë, pavarësisht sa i vogël a i madh është ai. Disa role në ekip janë tepër të qarta dhe të dukshme ndërsa disa të tjera janë mbështetëse. Unë i jam mirënjohës kaq shumë Mondit, basistit të grupit tonë apo zërit të dytë të Emilit po aq sa dhe kitarës së Landit apo pianos së Karinës. Zoti ynë i mirë e shikon ofertën tonë dhe e vlerëson në bazë të zemrës. Le të kujtojmë gruan e ve e cila kishte pak, por e dha pa kursim për kauzën e Perëndisë. Gjithashtu drejtuesit më të mirë muzikorë janë ata që i ndajnë qartë detyrat mes njerëzve. Drejtues, është përgjegjësia juaj të jepni detaje të mjaftueshme për secilin në ekip dhe të mbështesni në të njëjtën masë këdo, pavarësisht rolit në ekip.
  9. Të jemi të nënshtruar ndaj autoritetit. Ndoshta kjo nuk është gjithmonë e lehtë por Perëndia e kërkon qartë këtë. Çdo drejtues muzike duhet të jetë i qartë në përgjegjësitë e tij gjatë shërbesës. Ai duhet të dijë se çfarë dëshiron pastori apo drejtuesit e kishës nga ai. Nëse ai ka një sugjerim, ai mund ta shprehë atë, por s’mundet gjithmonë të bëhet siç do ai. E njëjta vlen dhe për anëtarët e ekipit të adhurimit. Le të kemi në ne po atë qëndrim që ishte në Jezu Krishtin, drejtuesin tonë.
  10. Të mos lëmë pas dore studimin personal dhe në ekip. Kjo është një pikë ku të gjithë shpesh ndihemi që s’kemi bërë mjaft, por le të marrim zemër dhe të ngrihemi përsëri. Edhe 10 minuta në ditë studim mjaftojnë për të siguruar një rritje të qëndrueshme në aftësitë tona muzikore.

Ja një listë me këshilla praktike për t’u mbajtur mend nga çdo anëtar në ekipin e adhurimit:

-        Ji në kohë për prova

-        Përgatit instrumentin tënd, ndihmo që të bëhen gjërat gati

-        Kujdesu për instrumentin tënd

-        Merr me vete një letër dhe laps për shënime

-        Ndiqe drejtuesin

-        Shëno mbi letrën e këngës detajet që të kërkohen

-        Vazhdimisht ki vëmendjen mbi volumin e instrumentit tënd gjatë provave për ta ndryshuar sipas nevojës

-        Luaje me besnikëri pjesën tënde

-        Luaje rolin mbështetës me të njëjtin zell siç luan rolin kryesor

-        Praktiko jashtë provave dhe përpiqu të përmirësohesh

-        Mos bëj mungesa

Së fundi, le të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të sjellim ofertën e dhuntive tona me përulësi, dashuri dhe pasion. Artist, ti je tepër i çmuar për kishën tënde. Vëre në punë dhuntinë tënde.

“Mbështetur në “Zemra e Artistit” nga Rory Noland. Leje përdorimi datë 07 Maj 2010 nga Toni Shena. Përdorur me leje nga Zondervan. www.zondervan.com

Tags:

Comments are closed.